Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut: Seminari Monotematik “Pulsatile Tinnitus” me Prof. Emmanuel Houdart, PU-PH
Në një atmosferë të shkëlqyer, u zhvillua sot, në Amfiteatrin e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Seminari Monotematik “Pulsatile Tinnitus”, i cili për herë të parë organizohet në Maqedoninë e Veriut. Seminari u organizua nga Spitali Amerikan, në bashkëpunim me Mother Teresa Clinical Center Skopje dhe Lariboisière Hospital, Paris.
Ky seminar shënon vazhdimin e një tradite të suksesshme shkencore, e cila më parë është zhvilluar në Tiranë dhe Prishtinë, duke forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e neuroshkencës dhe neuroradiologjisë ndërhyrëse.
Ligjëruesi kryesor, Prof. Emmanuel Houdart, PU-PH, nga Lariboisière Hospital në Paris, një nga emrat më të njohur në Evropë në fushën e neuroradiologjisë ndërhyrëse, mbajti një ligjëratë monotematike të fokusuar ekskluzivisht në “Pulsatile Tinnitus”.
Gjatë prezantimit, Prof. Houdart ndau përvojën e tij të gjerë klinike në diagnostikimin dhe trajtimin minimalisht invaziv të shkaqeve vaskulare të kësaj gjendjeje, duke paraqitur qasje moderne dhe efikase për menaxhimin e saj.
Në hapjen e seminarit morën fjalën Prof. Dr. Sonja Nikolova, Drejtore e Institutit Universitar të Radiologjisë dhe Presidente e Shoqatës Maqedonase të Radiologjisë, si dhe Prof. Dr. Mentor Petrela, MD, PhD, Chev LH, PU-PH Fr, WANS, IFAANS, Shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë në Spitalin Amerikan.
Aktiviteti u përmbyll me një diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve, ku u theksua rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe e bashkëpunimit ndërdisiplinor në trajtimin e rasteve të Pulsatile Tinnitus.
Seminari u mbështet gjithashtu nga Western Balkans University, Macedonian Association of Radiologists, Albanian Stroke Association, Shoqata Shqiptare e Neurologjisë dhe Shoqata Shqiptare e Neurokirurgjisë.




































